Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e vranësirave dhe shirave ku herë pas here do të jenë në formë shtrëngate, shoqëruar me stuhi të forta ere. Më të theksuara reshjet paraqiten në zonat veriore dhe qendrore të Shqipërisë. Parashikohet që gjatë pasdites dhe mbrëmjes të ketë dobësim të intensitetit të shirave në pjesën më të madhe të territorit duke lënë me rrebeshe të përkohëshme skajin Jugor – Juglindor.

Gjatë natës pritet përmirësim gradual i kushteve atmosferike në të gjithë territorin. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në orët e para të ditës por mesdita sjell rënie të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 7°C minimalja deri në 18°C maksimalja në rang vendi. Era do të fryjë e fortë duek arritur shpejtësinë maksimale mbi 65 km/h nga drejtimi Jugor – Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 5 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës përgjatë gjithë të shtunë do të jetë me vranësira të dendura dhe shira me intensitet mesatar dhe të lartë. Më të dendura shirat paraqiten në zonat veriore dhe veriperëndimore të republikës së Kosovës. Parashikohet që edhe pasdita të vijojë në kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat herë pas here do të pësojnë zhvillime të përkohshme duke gjeneruar rrebeshe shiu. Temperaturave të ajrit do të pësojnë rrtije të lehtë gjatë orëve të mëngjesit, por mesdita sjell renie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 5°C deri në 13°C. Era do të fryjë mesatare paradite por deri e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë deri në 55 km/h nga drejtimi kryesisht jugperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Pjesa më e madhe e territorit të MV parashikohet që të jetë nën dominimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të vranësirave dhe shirave ku herë pas here do të jenë rrebeshe; Më të dukshme reshjet priten në zonat Perëndimore dhe Jugperëndimore. Ndërsa në vijim do të theksohen vranësirat edhe në veriperëndim të MV duke sjellë rrebehse shiu si edhe stuhi të forta ere. Temperaturave të ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale por maksimalet do të pësojnë rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 7°C deri në 14°C.
Ndërkohë parametri i erës do të jetë bërë që herë pas here e fortë me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor.

Evropa

Zhvillimi i ciklonit të Islandës ka bërë që pothuajse i gjithë kontinenti europian të jetë nën ndikimin e vranësirave të dendura, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shi. Reshjet e shiut parashikohet që më të shumta të jenë në Europën Jugore dhe pjesërisht Qendrore, ku rrebeshet e shiut do të shoqërohen herë pas here dhe me stuhi të forta ere. Ndërsa moti i kthjellët por i ftohtë do të dominojë në gadishullin Skandinav si edhe Europën Lindore.