Shqipëria arrin objektivin e 500.000 vaksinimeve anti COVID, 29 ditë para afatit. Objektivi i vendosur nga qeveria dhe ministria e Shëndetësisë ka qenë që kjo shifër të arrihet në fund të muajit maj, por falë ritmit të shpejtë të vaksinimit masiv, është realizuar para kohe.

Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të cilët thotë se tashmë objektivi i rradhës është që të arrihen 1 milion vaksinime.

Edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira RAkacolli, në një intervistë për Report Tv, tha se objektivi për vaksinimin e gjysmë milionë qytetarë kundër COVID-19 do të arrihet para afatit të vendosur.

Vaksinimi anti COVID po vijon në mbarë vendin, sipas kategorive të përcaktuara në bazë të moshës dhe profesioneve të veçanta. Procesi po vijon me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Para dy ditësh kanë ardhur në Shqipëri edhe 25 mijë vaksina të tjera Sputnik V në vendin tonë në kuadër të këtij procesi.

Ndërkaq më 20 prill, Komisioni Evropian deklaroi se do të dhuronte në total 651 mijë doza BioNTech / Pfizer do të dorëzohen në rajon në këste javore nga fillimi i majit deri në gusht. Në saj të kësaj ndihme Shqipëria do të marrë 145 mijë doza, Kosova 95 mijë, Maqedonia e Veriut 119 mijë, Serbia 36 mijë, Mali i Zi 42 mijë dhe Bosnjë-Hercegovina 214 mijë doza.

Si pasojë edhe e vaksinimit masiv në vend janë ulur ndjeshëm rastet ditore. Në 24 orët e fundit u raportuan 53 raste të reja dhe 1 humbje jete nga COVID.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.