
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria do të mikpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027.
“Në vitin 2027 ne do të mikpresim një seri evenimentesh, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme, jo 50 vite më parë, por edhe pak vite më parë. Sepse në 2027-ën Shqipëria do të jetë mikpritëse jo vetëm e Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s dhe finaleve europiane nën moshën 21 vjeç, në futboll”, tha Rama, në konferencën për shtyp para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, që do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
Për kryeministrin Rama, këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po ndodhin falë punës që është bërë.
“Ne ishim Koreja e Veriut të Europës, të izoluar nga Perëndimi e nga Lindja, ndërsa pretendonim që ishim vendi i vetëm i mirëfilltë komunist. Dhe kishim vetëm 5 mijë vizitorë mesatarisht në vit”, theksoi Rama, duke shtuar se vitin e kaluar “e mbyllëm me 12 milionë të tillë”.
“Na u desh të luftonim për shumë vite kundër stigmës, që në një farë mënyre na ka ndjekur si hije pas që kur jemi hapur e erdhëm në Europë, një stigmë që na donte të ishim kriminelë, rrëmbyes, hajdutë e çdo gjë me radhë. Dhe po kështu kërkonte që Shqipëria të ishte një vend i zymtë, ku askush nuk duhet të shkojë, sepse është e rrezikshme”, tha ai.
Për fat të mirë, vijoi Rama, e gjitha kjo ka marrë fund tashmë e të gjithë ata që vijnë në Shqipëri mrekullohen nga mikpritja, vendi i bukur e siguria.