Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet, UNODC, ka publikuar raportin e fundit për drogat, ku ka renditur Shqipërinë si një nga vendet kryesore në botë për kultivimin e kanabisit.

Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë (nga 154 shtete gjithsej) për origjinën, nisjen dhe tranzitin e bimës së kanabisit për periudhën 2016-2019.

Shqipëria renditet pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit, duke lënë pas shtete, si: Kirgizistani, Irani, Nepali apo India, e cila zë vendin e dytë në botë për nga numri i popullsise.

Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë.

Kultivimi i kanabisit u raportua përmes treguesve direkt (si kultivimi apo asgjësimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) dhe treguesve indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, analiza e treguesve të ndryshëm për periudhën 2010-2020 sugjeron se Shqipëria, e cila zë vendin e parë në rajonin e Evropës Juglindore, ka një kultivim të konsiderueshëm të kanabisit me qëllim eksportimin ose përdorimin e saj të brendshëm.

(Sasi heroine e sekuestruar nga autoritetet në Shqipëri)

Shqipëria nuk mbeti pa u përmendur edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heroinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Evropës Perëndimore.

Raporti i DASH-it

Para disa muajsh, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në një raport të tijin për strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, përmendi Shqipërinë si një vendburim të kanabisit, por jo vetëm.

Për DASH-in, Shqipëria është një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane.

Në raport shpjegohet se si funksionon trafikimi.

“Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë, të cilët vlerësohen të luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”, shkruhet aty.

Gjithashtu, Shqipëria konsiderohet si një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ashtu siç është në dukje në raporte të tjera, theksohet se grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë.

Eldi Dizdari, kreu i grupit kriminal “Los Blanco”

Ata tashmë kryejnë disa funksione, atë të blerjes, transportit dhe shpërndarjes, deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

“Autoritetet shqiptare regjistruan një rritje të konfiskimeve të kokainës në Portin e Durrësit në vitin 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori” dhe se “forcat shqiptare të rendit shqiptar morën pjesë në disa operacione të zbatimit të ligjit në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar, ndër të tjera në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë”, shkruhet në raport.

Bandat shqiptare dhe lidhja e tyre me rrjetet kriminale

Në mars, “Criminal Planet”, seriali investigativ i “Vice Word News”, i ka kushtuar disa seri të plota botës së krimit në Shqipëri dhe lidhjet e saj me tregjet botërore – jo vetëm kolumbiane.

Në episodin e parë tregohet sesi mafia shqiptare ka krijuar një aleancë vdekjeprurëse me klanin më të madh të kokainës në Kolumbi.

Kjo për një arsye të vetme: krijimit të një bashkëpunimi fitimprurës që ka mbërthyer Evropën me narkotikë.

Dokumentari nis me “Clan del Golfo”, organizata më e madhe e trafikut të drogës në vend, që furnizon 70 për qind të kokainës në botë.

“Del Golfo”, i referuar si “Klani”, është një grup paraushtarak i krahut të djathtë, të cilin Qeveria amerikane e ka caktuar si një nga pesë grupet kryesore të krimit të organizuar transnacional në botë.

“15 vitet e fundit, ne kemi pasur këtë aleancë me shqiptarët”, shprehet dikush në radhët e tyre që punon drejtpërdrejt me mafien shqiptare.

Sipas tij, shqiptarët janë duke blerë vazhdimisht drogë – ata blejnë deri në shtatë ton.

“Ata janë eksportuesit më të mëdhenj të drogës”.

Gjysma e kokainës së “Klanit” kontrabandohet nga kartelet meksikane në Amerikë.

Gjysma tjetër fshihet kryesisht në anije me kontejnerë dhe transferohet në Shqipëri, përpara se të kontrabandohet përmes tokës në një sërë vendesh evropiane.

Ndonjëherë ka dërgesa të drejtpërdrejta në Britani, por më shpesh ato shkojnë përmes porteve në Roterdam dhe Antwerp.

Vlerësohet se, 90 për qind e sasisë, kalon pa u zbuluar nga autoritetet.