E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë Leyla Moses-Ones u shpreh se ambasada ka punuar me shkollat në projektin për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ajo tha se ambasada ka gjetur mbështetjen e qeverisë shqiptare, organizatave fetare dhe civile në drejtim të parandalimit të dhunës dhe terrorizmit.
“Gjatë programit pilot në shkolla, është rritur ndërgjegjësimi për të shmangur ekstremizmin e dhunshëm. Projekti i parë kundër ekstremizmit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2015, ndërsa më vonë një samit për këtë temë u mbajt në Tiranë. Liderët politikë shqiptarë dhe në Ballkan vunë në dukje se ekstremizmi dhe terrorizmi duhen luftuar.
Shkolla si një qendër komunitare ka shërbyer për të promovuar paqen dhe jo dhunën. Strategjia ka bërë që edhe aktorët vendas të ndërgjegjësohen për të trajtuar këtë fenomen. Të gjithë aktorët e kuptojnë se parandalimi i ekstremizmit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë projekt kanë marrë pjesë qytetarë, por edhe organizata fetare. Këto projekte ndihmojnë qytetarët që të mos priren nga dhuna.”, deklaroi e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë Leyla Moses-Ones.
Veritas.com.al/