Seanca e parashikuar e 18 janarit për shqyrtimin e shkarkimit të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese është shtyrë, nga 18 janar kur ishte, për në datën 1 shkurt.
Sipas njoftimit, shkak është bërë infektimi me COVID-19 i relatorit të çështjes. Seanca e radhës do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në orën 10:00.
Shkarkimi i Metës nga Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë, Legjislatura e vjetër – IX-të – më 9 qershor, ka shkarkuar zyrtarisht Metën, nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.
Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.
Për shkarkimin e tij të nevojshme ishin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan.
Brenda pesë ditëve, fjala i kaloi Gjykatës Kushtetuese – e cila do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë apo jo në detyrën e tij si kreu i shtetit, deri në përfundim të mandatit në korrik 2021.
Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e Metës.
Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit.
Votim që konfirmoi shifrat e raportit.
Pse u kërkua shkarkimi i Metës?
Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.
Sipas socialistëve, Meta ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore.
Gjithashtu ai ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.
Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste.
Vetë Meta refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.
Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.
Në të kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.