Lëvizja Socialiste për Integrim ka hapur fushatën e zgjedhjeve në Parti. Do të zgjidhen forumet drejtuese të Partisë, mes të cilëve edhe kryetari ; sot në këtë post ndodhet Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ilir Meta është kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej krijimit të saj; megjithatë ka shtruar fushën për zgjedhje. Këtë e ka bërë vazhdimisht sa herë ka përcaktuar statuti se “duhen bërë zgjedhje”.
E vetmja parti që nuk ka pranuar që kryetari i saj të rivotohet, është Partia Socialiste. Kjo ka thënë se “përderisa kryetari është edhe kryeministër, nuk ka arsye për të votuar”. Sidoqoftë, ështe një mënyrë e hapur për të mënjanuar parimet e demokracisë në parti. Lëvizja Socialiste për integrim, edhe pse në koalicion me Partinë Socialiste, po zhvillon zgjedhje edhe për kryetarin e saj.
Për të krijuar kuadrin e një “demokracie” në zgjedhjen e kryetarit të LSI, përballë Ilir Metës ka kandiduar edhe Shezai Rokaj, kryetar aktual i degës së LSI në Tiranë. Zoti Rokaj është profesor në filologji dhe dekan i këtij fakulteti në Universitetin e Tiranës.
Pse kandidon zoti Rokaj? Në disa informacione të publikuara kohët e fundit në media thuhet se “zoti Rokaj e ka marrë seriozisht dhe me impenjim fushatën për t’u zgjedhur në krye të LSI. Padyshim kështu mund të ketë ndodhur. Por edhe kjo është pjesë e një performance për t’u bërë i besueshëm se “do të marrë postin e Ilir Metës”. Sidoqoftë, zoti Meta do ta çmojë kontributin e tij për një performancë demokratike në Parti, megjithëse nuk diskutohet se zgjedhjet i fiton vetë Ilir Meta.
Një kandidat tjetër është shpallur sot. Përparim Spahiu ka deklaruar se kandidon për kryetar i LSI. Zoti Spahiu është anëtar i Kuvendit, i zgjedhur (emëruar) nga LSI. Por sot nuk është anëtar i grupit parlamentar të LSI. Para pak kohë ai ka bërë një “gabim të rëndë” dhe për këtë është përjashtuar nga radhët e grupit të LSI. Gabimi se u deklaruar ndryshe nga “kori” i LSI për Reformën në drejtësi.
Por edhe pas përjashtimit “armiku” ka votuar sipas vijës së LSI. Tani kandidon përballë Metës me veshjen e “armikut” Kështu bëhet edhe më e vërtetë gara në sy të publikut. Fakti që zoti Rokaj njihet si mik i kryetarit “të sfiduar” prej tij, tani del një kandidat “armik” i kryetarit që kandidon përballë.
Duket sikur kjo është demokratike, sidomos për naivët. /Veritas.com.al/