“Duhet të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionin publik, si dhe krimin mjedisor”.
Kështu u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Sorecca, mëngjesin e 24 nëntorit në një takim konsultativ me donatorët e thirrur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Në vitin e fundit Shqipëria dhe BE-ja janë angazhuar në një dialog politik shumë të fortë. Do të çojmë përpara bashkëpunimin me vendet e BE-së dhe Europolin”, tha Soreca në fjalën e tij.
Po ashtu ai theksoi se BE-ja do të vazhdojë me mbështetjen ndaj Shqipërisë për të kryer operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit.
“Jam i lumtur që kemi folur për sigurinë rrugore. Shqipëria ka prezantuar shumë nisma dhe ende kjo problematikë është shqetësim. Kemi pasur numër të lartë aksidente rrugore vitet e fundit”, vijoi Soreca.
Ndërsa për sa i përket krimit mjedisor, Ambasadori tha se, “sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës si tregtia e drogës, por është e vështirë për t’u kapur”.
Duke u ndalur te kjo e fundit Soreca ravijëzoi duke thënë se angazhimi nuk duhet të ndalet.
“Shqipëria po përballet në emigracion në rritje. Është i rëndësishëm zbatimi i plotë i legjislacionit”.
Ai e mbylli duke thënë se, “të ndajmë përgjegjësi e të tregojmë që Shqipëria do të ketë rol të rëndësishëm në promovimin e nismave, e kjo do të thotë që do të çojmë përpara integrimin Evropian”.
“Vendi të pastrohet nga korrupsioni”
E pranishme në takimin e zhvilluar mëngjesin e kësaj dite ishte dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.
Që prej ditës së marrjes së detyrën ajo ka deklaruar e prerë se, “vendi duhet të pastrohet nga gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e korruptuar”.
“E vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar është të kemi institucione të pavarura që mbështesin zbatimin e ligjit”, u ndal Kim në fjalën e saj për luftën kundër paligjshmërisë.
Kim theksoi se vendi ynë është duke parë një “epokë të re”.
“Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, arrestimi i politikanëve, policëve dhe kriminelëve. Ky është vetëm fillimi. Ne po shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij”, theksoi Kim në fjalën e saj.
Por pavarësisht “suksesit”, Kim shtoi se, “shqiptarët luajnë një rol të madh në rritjen e trafikut të drogës. 60-65 ton heroinë kontrabandohen në rajon gjatë vitit. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin. Kjo tregon që trafikimi mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë”.
Ajo u ndal dhe te trafikimi i qenieve njerëzore dhe emigracioni.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është rritur gjithashtu. Mijëra emigrantë kalojnë përmes Shqipërisë për në BE”.
Kim e mbylli fjalën e saj duke iu drejtuar funksionit të institucioneve ligjzbatuese.
“Ajo për të cilën jemi për të folur këtu sot është se si Ministria e Brendshme mund ta bëjë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë. Duhet të rritet transparenca dhe llogaridhënia”. /Albanianpost.com