Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë inspektuar nisjen e vaksinimit masiv në sheshin “Skënderbej”.
“Pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme do të vijojmë punën, besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë i lehtësuar, mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar gjithë popullata, por mund ta bëjmë edhe më parë. Do të jemi me 4 turne, mos u qani hallin atyre që mezi e kanë pritur këtë ditë sepse ndihen shumë të çliruar psikologjikisht. Jeta e tyre është shtrënguar në mënyrë të jashtëzakonshme, çlirimi i tyre është kënaqësia më e madhe qëkur jam marrë me politikë. Nuk do të kërkohet vaksinimi për turistët”, tha Rama.
Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët. Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” ka filluar për moshat mbi 75 vjeç, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes.
Në ndihmë të bluzave të bardha janë bashkuar edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa pritet të plotësohet plani ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.
Ministrja Manasirliu theksoi se qendra e vaksinimit masiv do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë.
“Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të regjistrimit, duke mundësuar kështu një regjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat”, tha ministrja.
Me ecurinë e këtij procesi pritet që të ketë një lehtësim të masave në sezonin veror, ndërsa deri në qershor pritet që të kenë marrë vaksinën anti-COVID, 500 mijë qytetarë.
Procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në vendin tonë në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe së fundmi edhe me Coronavac.
VERITAS.COM.AL