Liderët e BE-së janë mbledhur sot në një samit dy ditor në Bruksel. Udhëheqësit e BE-së do të takojnë homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor sot në mëngjes, përpara samitit kryesor, për të “folur mbi lidhjet e ngushta ekzistuese”, por diskutimet priten të jenë të vështira.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në samit dhe para gazetarëve u shpreh se nuk ka shpesë që çështja e Bullgarisë të zgjidhet. Rama thotë se është turp për Evropën kjo ‘çështje bullgare’, që mban peng integrimin e dy vendeve të NATO-s, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, në një kohë kur lufta në Ukrainë është në oborrin e pasmë të BE-së.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Oliver Varhelyi, thotë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së. Ai i bën thirrje Bullgarisë që të miratojë propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Liderët e BE-së në Bruksel po ashtu pritet të nënshkruajnë rekomandimin e javës së kaluar nga Komisioni Evropian për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit për në BE, sipas draft-konkluzioneve më të fundit të samitit të BE-së.
Ambasadori i Ukrainës në BE tha se kjo do të ishte një nxitje psikologjike për ukrainasit. Por Vsevolod Chentsov pranoi se “integrimi i vërtetë” mund të fillonte vetëm kur të mbaronte lufta.”
Statusi i kandidatit është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE dhe Franca tha këtë javë se kishte “konsensus total” për Ukrainën. Por mund të duhen shumë vite për t’u bashkuar dhe nuk ka asnjë garanci për sukses.
Por pavarësisht synimeve, duket se nuk do të ketë një dritë jeshlie për hapjen e negociatave, pasi një ditë më parë u rrëzua qeveria bullgare, e cila ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, e për rrjedhojë pengon edhe integrimin e vendit tonë.