Hoteli ‘Ador’ në pronësi të Admir Hoxhës, i ka kaluar shtetit. Struktura e Posaçme Antikorrupsion njofton se kjo pronë me vlerë 5 milion euro, që ndodhet në Rinas, është konfiskuar.

“Kjo pronë e konfiskuar me vlerë 5 (Pesë) Milion Euro i kalon shtetit shqiptar! Hoteli i përkiste një grupi kriminal të strukturuar që merrej me trafik ndërkombëtar droge”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Admir Hoxha, është në kërkim për trafik droge, ndërsa resorti “Ador” ka sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel, në Rinas. Më herët, Hoxhës i është bllokuar edhe automjeti tip Aud, pasi pasuritë e tij dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal.

Sipas prokurorisë Admir Hoxha së bashku me kushëririn e tij Hekuran Hoxha, janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë, që më pas përpunohej në laboratorin e Hasit që u zbulua në 19 tetor të vitit të kaluar.

Lënda narkotike vinte dhe Kolumbia, Turqia dhe Peruja dhe pasi përpunohej në labortaorin në Has, shpërndahej më pas në shtetet europiane si Holanda, Gjermania, Franca etj. Hoxha është dënuar me 12 vite burg në mungesë.

Ndërkohë 16 personat e tjerë që u arrestuan si pjesë e grupit të tregtimit të heroinës dhe për laboratorin e drogës , janë dënuar në total me 115 vite burg