Mbyllen hetimet dhe dërgohen në gjyq disa persona që akuzohen për nxitje dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste sa i përket rekrutimit të shqiptarëve në luftën e Sirisë.
Procesi ka nisur sot në Gjykatën e Posaçme ndaj Almir Dacit, Shkelzen Dumanit, Mehdi Manallarit dhe Shyqyri Kaca, të cilët janë në mungesë.
Ndërkohë në seancë janë paraqitur disa prej grave të cilat kanë qenë në kampet xhihadiste në Siri por që janë riatdhesuar të cilave u është komunikuar edhe akuza.
Kujtojmë se lidhur me këtë grup, hetimet kanë nisur vite më parë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Organi i akuzës konsideronte imamin e xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla dhe imamin xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa si organizatorë të rekrutimit. Seanca paraprake u shty për në datën 5 tetor pasi mungonin disa prej avokatëve të të pandehurve.