Është përmbyllur nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK hetimi rreth inceneratorit të Fierit, nga ku të pandehurve u janë komunikuar akuzat dhe dy personat kryesore, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka si edhe ish-sekretari i përgjithshëm pranë kësaj ministrie, Alqi Bllako, janë nën akuzë për shpërdorim detyre.

 

Si Koka, ashtu edhe Ballako, janë lënë nën masën e “Arrestit me burg”, në të cilën ndodheshin që më parë lidhur me akuzat për inceneratorin e Elbasanit.

 

Persona të tjerë të përfshirë në hetime, kanë marrë po ashtu masat e përcaktuara nga SPAK, përfshi shtetasit Klodjan Zoto, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Erjon Murataj, Florjan Muçaj.

 

Një muaj më parë, SPAK lëshoi 11 urdhrë arreste lidhur me inceneratorin e Fierit.

 

Prej tyre, pesë persona vetëm ranë në pranga.

Teksa, pesë të tjerë, janë jashtë kufirit shqiptar dhe janë vendosur në kërkim ndërkombëtar.

Një shtetas tjetër, është në kërkim brenda vendit.

Nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Mjedisit në fillim dhe më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) deri më 30 qershor 2022, janë bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”  në shumën 4 miliard e 200 e dy milion lekë.

Nga ana e shtetasit Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare në bashkëpunim me shtetasin Arenc Myrtezani,  administrator i kësaj shoqërie, janë pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara në vlerën 4 milion euro, për shërbime që nuk janë kryer.

Mes të arrestuarve nga aksioni i SPAK është edhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj.

Ky i fundit, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, ka miratuar dhe më pas dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare.

Sipas SPAK, në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”  në vlerën 4 milion euro.

Gjithashtu, shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare.

Këto kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.

Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare që i është faturuar shoqërisë koncesionare dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë.

Kjo, në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.

Një ditë më parë SPAK akuzoi zyrtarisht  biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Në aktakuzën e SPAK thuhet se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë “konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.

Mërtiri pritet të shpallet në kërkim, ashtu sikurse më herët është shpallur partnerja e tij Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto.

Në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit, SPAK akuzon për shpërdorim detyre edhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Gjithashtu rezulton se administratorët e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.

Kujtojmë se ishte ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, që u arrestua i pari me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.