(Foto nga kontrollet, Talo e Suel Çela dhe Ervis Martinaj)
Një aksion për të goditur botën e krimit të organizuar po zhvillohet nga SPAK, në disa qytete të vendit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë lëshuar 32 urdhër-arreste, ndërsa deri tani janë ekzekutuar 12 masa. Në krye të aksionit të SPAK për t’u arrestuar është i shumëkërkuari Talo Çelo, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve në një nga vendqendrimet e tij, por nuk është arritur që të arrestohet ende. Si pjesë e 32-urdhër arresteve të SPAK, mësohet se në kërkim janë edhe Ervis Martinaj, Suel Çela, Kamer Mehja, Fatos Gogo. Sokol Sanxhaktarit dhe Henrik Hoxhaj u janë komunikuar masat e arrestit në qeli.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë 6 muaj hetime intensive nga SPAK, për të goditur 4 grupe kriminale, dhe mbi të kërkuarit rëndojnë akuza shumë të rënda për vrasje, drogë, rrëmbim personi e shantazh, ndërsa arrestimet janë dhënë më urdhër të GJKKO-së. Dyshohet se deklarimet e Nuredin Dumanit, janë përputhur me provat e SPAK për goditjen ndaj botës së krimit të organizuar. Kjo pasi në momentin e arrestimit të Nuredin Dumanit, në Fier, pas atentatit ndaj Talo Çelës, në telefonin e tij janë gjetur të dhëna që i kanë shërbyer porkurorisë. Aksioni i SPAK po zhvillohet në bashkëpunim mes FNSH dhe Renea-s.
Mes të arrestuarve ka edhe zyrtarë si dhe efektivë të policisë të cilët dyshohet se dekonspironin operacionin.
Në Elbasan, Report Tv mëson se me urdhër të SPAK janë 10 persona të cilët pritet që të arrestohen, ndërsa aksioni po zhvillohet nga FNSH. Personat të cilët pritet të arrestohen janë të dyshuar si anëtare të grupeve kriminale që drejtojnë qytetin e Elbasanit dhe disa oficerë të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupet kriminale duke shpërdoruar detyrën.