Ka nisur sekuestrimi i pronave të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare në pronësi të Jamarbër Malltezit.
Dhëndrit të ish kryeministrit Berisha i janë bllokuar edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për pasuritë e Malltezit.
Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Gjithashtu nën sekuestero janë vënë edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.
Përfaqësues të policisë së Shtetit nga Drejtoria e Krimit Ekonomik kanë mbërritur në vilën e Jamarbër Malltezit në Gjirin e Lalzit për të vendosur sekuestron preventive ndaj kësaj prone.
Oficerët janë paraqitur fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.
Lista e pasurive që iu sekuestruan nga SPAK Jamarbër Malltezit:
1. Truall me sipërfaqe 102.60 m2.
1. Apartament me sipërfaqe 208.20 m2 i ndodhur në Rr. “Deshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë
3. Apartament me sipërfaqe 346 m2.
4. Apartament me sipërfaqe 356.3 m2
5. Njësi me sipërfaqe 459.6 m2
6. Njësi me sipërfaqe 379.6 m2
5. Njësi me sipërfaqe 459.6 m2
6. Apartament me sipërfaqe 375 m2
7. Truall dhe vilë (apartament duplex) i vendosur mbi këtë truall me sipërfaqe ndërtimi 76.23 m2 e ndarë në kati përdhe me sipërfaqe 76.23 m2, kati i parë me sipërfaqe 76.22 m2 si dhe verande me sipërfaqe 22.73 m2.
8. Pasuri me sipërfaqe 107 m2, Ruga Frosina Plaku, kati përdhes i godinës 9 (nëntëe) katëshe, shkalla 2.
9. Masën 45% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Homeplan sh.p.k. me NIPT K81803020E, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi;
10. Masën 100% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Magnet IMO sh.p.k. me NIPT L8J714031D, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.
11. Masën 60% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Magnet Gym&Fit, me NIPT L7202201OB, në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.
Mbrëmjen e së shtunës është arrestuar në aeroportin e Rinasit Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.
Malltezi është i dyshuar për pastrim parash dhe korrupsion. Me vendim të Gjykatës së Posaçme, masë sigurie është vendosur edhe për Sali Berishën. Me kërkesë të SPAK, për Berishën është caktuar masa “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Po ashtu, me kërkesë të SPAK për të njëjtën çështje, është caktuar edhe masa e sigurisë për biznesmenin Fatmir Bekteshi.
Kujtojmë se nëntor 2020, Taulant Balla, në cilësinë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka kallëzuar Malltezin, ish-ministrin e mbrojtjes Arben Imami, si dhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Berisha 2005-2013 për tjetërsimin e pronës shtetërore të klubit Sportiv “Partizani”.