Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe janë të vendosura për të ofruar mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).

Garancia është dhënë nga Jorgan K. Andrews, zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit, në takimin që zhvilloi me Gent Ibrahimin, kreu i KLP-së.

“Keni ngritur një baze ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e aftë të mbajë larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto strukturat”, është shprehur Andrews.

Sipas zyrtarit amerikan, në Shqipëri “duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse tani do të keni instrumentet e duhura”.

Ibrahimi, nga ana e tij, ka theksuar se në 10 muaj është ngritur nga KLP e gjithë infrastruktura ligjore për formimin e SPAK.

“Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK”, është shprehur kreu i KLP-së.

Sa i përket ngritjes së SPAK, Ibrahimi ka shtuar: “Këshilli shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashme të vetuar dhe 2 prokurorë te komanduar nga lista e kandidateve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetting-un me vendim të formës së prerë”.

Kreu i KLP-së ka theksuar gjithashtu se “mbështetja e Ambasadës Amerikane dhe misionit të asistencës OPDAT, gjatë këtyre proceseve, ka qenë garant për profesionalizmin dhe integritetin e tyre”.

Në takim ishin të pranishme Leyla Moses- Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri; Julie Craven dhe Michelle Lakomy nga OPDAT.

Sa i përket Jorgan K. Andrews, ai është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikeve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ku mbikëqyr programet e kësaj byroje në Evropë dhe në Azi.

VERITAS.COM.AL/