SPAK ka publikuar detaje rreth operacionit për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci.

Sipas verifikimeve, dyshohet se Tuci ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket fondit pyjor.

SPAK thekson se Tuci akuzohet për shpërdorim detyre pasi ka lejuar hapjen e një rruge duke i shkaktuar një dëm prej 234 milionë lekë fondit pyjor.

Sakaq, ish-administratori i njësisë Iballë, Ndoc Marku është lënë në ‘arrest shtëpie’, ndërsa fadromisti Durim Markgjekaj, i cili ka hapur rrugën me gjatësi 1.8 kilometra është lënë në masën “detyrim paraqitje”. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hapur këtë segment, pavarësisht se autoritetet nuk kanë dhënë leje për të kryer punime.

Njoftimi i SPAK:

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, shtetasi F.T., në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz/