Deklaratat e presidentit Ilir Meta se më 2 mars do të zhvillojë një tubim me qytetarët ku do të lidhin “besën” dhe se prej aty do të fillojë edhe shpartallimi i grushtit të shtetit, nuk është pritur aspak mirë jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga intelektualë të fushave të ndryshme.
Avokat Spartak Ngjela u shpreh ditën e djeshme se presidenti Ilir Meta është në shkelje të rëndë të Kushtetutës me thirrjet e tij për revolta, duke shtuar se ai duhet të arrestohet me urgjencë. Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela u shpreh se presidenti mund të ketë çrregullim mendor me thirrjet që po bën, duke theksuar se ai nuk mund të bëjë asnjë veprim kundër rendit kushtetues. “Ai bën thirrje për revolta për shkelje të Kushtetutës nga presidenti.
Në çdo vend të botës do ishte arrestuar nëse e kryen këtë që thotë. Është një atentat kundër Kushtetutës nga presidenti, por është në flagrancë dhe e ka të rrezikshme nëse e bën.
Fuqitë e mëdha që e drejtojnë Shqipërinë dhe që janë fuqi demokratike nuk e lejojnë që të bëjë një gjë të tillë.
Do japin urdhër ta arrestojnë në flagrancë.
Në çdo vend të botës arrestohet në flagrancë, por ky mund të ketë çorientim mendor. Është lajthitje. Nuk mund të bëjë dot kundër rendit kushtetues”, tha Ngjela në reagimin e tij për gazetën.
Po ashtu, edhe juristi Romeo Kara doli kundër thirrjeve të presidentit Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se populli nuk është budalla që të ndjekë nga pas një president të paudhë.
“Kur flet Meta për revolucion, parime dhe grusht shteti, mendoj se, ose ky na di neve për idiotë dhe elifmatrake, ose vetë ka ikur tërësisht në drejtim të paditur. Për Metën opinioni shqiptar është pak a shumë ky: Në dhjetë vetë, nëntë flasin shumë keq për të, ndërsa i dhjeti keq.
Sado paçavure që është qeverisja e sotme, ku nuk bëjnë dot me derman as gurutë e Shikharit në Indi, përsëri duket e pranueshme vetëm për faktin se, alternativë e saj qëndron bulldogu i Presidencës me grifshën e LSI-së. Kur mendoj se kemi president një të paudhë si ai, kur mendoj se jemi qeverisur prej tij dhe familjes së tij, kur mendoj se ky i paudhë që mbeti shtigjeve e maleve mund të riciklohet përsëri në pushtet, së bashku me krye të paudhin Berisha, nga shpirti më del një ulërimë si Jovan Bregut tek Pallati 176”, tha juristi Romeo Kara.
SHKRUAR NGA SOT.COM.AL
20 Shkurt 2020