Në raportin më të fundit të publikuar më 22 Mars 2024, agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poors” ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në ‘BB-‘ nga ‘B+’, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit. Ky përmirësim i vlerësimit vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.
Agjencia vlerëson se Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë. Pavarësisht këtyre pengesave, agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.
Agjencia ia atribuon këtë qëndrueshmëri ekonomike, pjesërisht, një rritjeje të konsiderueshme të turizmit. Ky bum në sektorin e turizmit ndihmoi Shqipërinë të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB-së midis viteve 2019 dhe 2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm, vlerëson S&P.
Agjencia parashikon se perspektivat e rritjes së moderuar të Shqipërisë dhe rezervat relativisht të larta ofrojnë një mbrojtje ndaj goditjeve të mundshme të jashtme.
Agjencia vlerëson se Shqipëria do të ndërmarrë hapa institucionalë në mbështetje të ofertës së saj për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Vendi ka zbatuar një sërë reformash për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, duke përafruar më tej kuadrin ligjor, i shtyrë nga ambicia e tij për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, sfidat e brendshme kërkojnë reforma të vazhdueshme strukturore për t’u harmonizuar me acquis të BE-së.