“Ne kemi dëgjuar se ka sinjale nga Moska për gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet diplomatike. Por deri më tani nuk kemi parë asnjë depërshkallëzim apo tërheqje të forcave, përkundrazi duket se masat po shtohen”.

Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kjo, pas mbërritjes së tij në takimin që po mbahet mes ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

“Ajo që ne shohim është se numri i trupave është rritur dhe shumë të tjerë janë në rrugë”, shtoi ai, duke thënë se ishte i gatshëm për “një zgjidhje politike”.

Ministria ruse e Mbrojtjes, njoftoi dje se disa nga trupat e dislokuara në rajonet kufitare të Ukrainës, kanë filluar të kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.

Agjencia e lajmeve “Interfax” saktësoi se edhe ushtarët e dislokuar në Krime kanë filluar të kthehen në kazermë.

Manovrat megjithatë vazhdojnë në pjesën tjetër të zonave kufitare.

Njoftimi erdhi si shtesë e indikacioneve të dhëna të hënën nga Sergei Shoigu, ministri rus i mbrojtjes.

Zyrtari rus sqaroi se edhe simulimet në Bjellorusi “po përfundojnë gjithashtu”.

Ky ishte sinjali i parë qetësues konkret në nivel ushtarak që erdhi nga Moska, në harmoni me ndryshimin e tonit të hënën nga ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov.

Dje foli edhe vetë Putin-i, i cili shprehu gatishmërinë për “dialog me Perëndimin”.

Reagimi i parë ukrainas ndaj shpalljes së përfundimit të manovrave ishte skeptik.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Kiev-i do t’i besojë depërshkallëzimit vetëm kur të shohë një tërheqje të plotë.

Skeptikë janë edhe amerikanët, sipas të cilëve Rusia mbetet në çdo rast e aftë për të nisur një ofensivë.