Është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin ‘Syri i Tiranës’. Kompania e ndërtimit ka vendosur që pas sekuestrimit nga Qeveria si rezultat i Aktit të fundit Normativ kundër ndërtimeve pa leje, t’ia dhurojë këtë sipërfaqe shtetit. Rama ka thënë përmes një videomesazhi se 4646 m2 të ndërtuar pa leje në qendër të Tiranë do përdoren sipas ligjit për interes publik.
“Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë”, u shpreh Rama.
Në videomesazhin e sotëm Kryeministri Duke iu rikthyer akuzave ai tha se askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.
“Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit. Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime”, tha Rama.
Ai u shpreh se qeveria ka ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë.
“Por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë. Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto kohë kaq të vështira”, u shpreh Kryeministri.