Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka folur pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, takim për të cilin ka thënë se nuk ishte aspak i lehtë, madje, “s’ishte takim normal”.
“Më falni që ju lash të prisni, por këto takime e dimë kur fillojnë e asnjëherë se kur kryhen”, deklaroi Borell.
“Ky ishte takimi i tretë i profilit të lartë në Dialog ku po kërkojmë normalizim të raporteve”.
“Takimi i sotëm nuk ishte takim normal. Nuk ishte takim i rregullt”, shtoi Borell.
“Së bashku me Lajçak-un të cilin e falënderoj shumë, e thirrëm këtë takim, sepse po ballafaqohemi me zhvillime negative në terren dhe tension në Kosovë”.
“Ky takim ishte për përgjegjësinë e të dy liderëve që të kërkojmë zgjidhje”.
S’ka marrëveshje, as dorëzim
Josep Borell ka kumtuar se një dakordim nuk u arrit, përkundër insistimit të tij.
“Fatkeqësisht nuk kemi arritur asnjë marrëveshje sot”, por ai ka shtuar se “nuk dorëzohem” dhe se ky takim “nuk është fundi”.
“Dy liderët u dakorduan për të vazhduar diskutimet, dhe bisedimet do të vazhdojë në ditët në vijim”.
Shefi i diplomacisë evropiane, ka thënë se ka ende kohë deri më 1 shtator, në ditën kur rinis implementimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitet”.
Megjithatë spanjolli është treguar i prerë në rast se situata tensionohet përsëri në Veri.
“Dua të ju them se nëse situata në terren përkeqësohet përsëri, atëherë fajtorë janë të dyja palët”.
Ai ka përsëritur faktin se takimi në fjalë nuk ka qenë një takim i zakonshëm në kuadër të dialogut, por një takim për “menaxhim të krizës”.
“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjinden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme. U thash të dy liderëve se ky ishte një takim për menaxhimin e krizës, jo një takim i zakonshëm dhe se qëllimi ishte të uleshin tensionet në terren”, ka shtuar ai.