KOMENT/

E hëna e 24 janarit është dita e fundit e propozimit të emrave pranë Komisionit të Themelimit të Partisë Demokratike për të kaluar në një fazë tjetër, atë të miratimit.

Bëhet fjalë për kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Një “surprizë” ka ndodhur gjatë orëve të fundit, ku burime për Albanian Post pranë degës PD Durrës, bëjnë me dije se kjo bashki do të ketë një përfaqësues të vetëm të dy grupimeve “Basha-Berisha”.

Dy nga emrat e sugjeruar nga struktura janë kryetari i degës, Luan Hoti dhe urbanisti Ardian Muka. Ky i fundit është i pozicionuar krah ish-kryetarit, Sali Berisha.

Sipas informacioneve të brendshme, Hoti gëzon përkrahjen më të madhe nga ana e strukturave të PD-së, Durrës. Kjo ka bërë që të ketë një ridimensionim të përkrahësve drejt “kampit” të kryetarit, Lulzim Basha.

Gjatë kësaj jave, brenda PD-së dega Durrës do të ketë zgjedhje të brendshme, ku do të caktohet kandidati i zgjedhur nga demokratët e Durrësit për t’i përfaqësuar ato dhe më tej emri do të bëhet zyrtar pasi ky proces të ketë përfunduar.

Gjithashtu nuk ka munguar dhe thirrja për të kandiduar si përfaqësues i kësaj force, çdo demokrat që ka dëshirë.

Në vazhdim priten dhe propozimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim për përfaqësuesin e tyre, por pa konfirmuar nëse do të garojnë të vetëm apo në koalicion me PD.

Dekretimi i zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta, mëngjesin e 20 janarit, dekretoi datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Ai vendosi që zgjedhjet të mbahen më 6 mars të këtij viti.

“Të dashur qytetarë, sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë”, shkruante Meta në postimin e tij në median sociale Facebook.

Vendimi erdhi pasi presidenti mori edhe pëlqimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi.

Si fillim ai kishte propozuar dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, atë të 27 shkurtit dhe 6 marsit.

Meta u konsultua edhe me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Letër Kryeministrisë

Disa ditë më parë, presidenti i ka dërguar një shkresë zyrtare, Kryeministrisë, me anë të së cilës i ka kërkuar informacion mbi numrin e Bashkive të mbetura pa kryetar.

“Kush janë saktësisht ato njësi vendore në të cilat përgjatë kësaj periudhë 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkisë u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, nënvizon Presidenca.

Ndër të tjera, kërkohet edhe shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit të tyre.

KQZ

KQZ-ja, përmes një shkrese zyrtare, i ktheu më herët përgjigje presidentit Meta, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Meta kishte kërkuar informacion nga KQZ-ja në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të Bashkive.

Në përgjigje, KQZ shkruan se, Bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se, nuk ka dijeni për Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.