Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor do të mbahet për herë të parë në një prej vendeve të rajonit. Kështu raporton televizioni publik serb, RTS, duke cituar burime diplomatike në Bruksel. Kjo media shkruan se “Shqipëria ose Maqedonia e Veriut janë dy vende që po vlerësohen për organizimin e këtij samiti të rëndësishëm, ndërsa Serbia është përjashtuar si opsion për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.
Të pyetur nga A2 CNN lidhur me këtë çështje, zyrtarë të BE-së nuk konfirmuan apo mohuan organizimin e samitit në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se eventi do të mbahet në dhjetor me një datë fikse ende për t’u përcaktuar.
“Detaje të reja pritet të dalin së shpejti”, konfirmoi zyrtari i Brukselit për A2. Në këtë samit të rëndësishëm, BE pritet të dërgojë një sinjal edhe më të fortë drejt Ballkanit Perëndimor duke shfrytëzuar momentin e krijuar nga lufta në Ukrainë për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.