Frrok Çupi
Të paktën ‘ajo dita’ është sot. Sot është dita e Samitit të BE me Ballkanin Perëndimor. Europa është ankoruar në Tiranë, Tirana ishte një Bruksel gjatë dy ditëve. Që nga lindja e Krishtit kjo është dita e vetme, dita e parë. Është realizuar ëndrra më e përparuar e mendimtarëve dhe e qytetarisë shqiptare. A mund ta themi këtë të vërtetë sot? Ka shumë njerëz që edhe sot mbledhin buzët e thonë “ e cë pastaj?’.
A nuk është e vërtetë që Bashkimi i Evropës zgjodhi Tiranën mes kryeqyteteve historike të Ballkanit, që nga Beogradi, Shkupi e Sarajeva. E zgjodhi Tiranën sepse Shqipëria ka përparuar në rrugën e shtetit modern; shqiptarët nuk kanë ndasi etnike e fetare, as konflikte me fqinj, as varësi nga Rusia; Shqipëria ka më shumë banorë pro perëndimorë. A nuk mund ta themi këtë të vërtetë që Europa e pranon, apo të kemi frikë nga disa që thonë se ‘Shqipëria nuk bëhet’?
A nuk mund të themi sot se Shqipëria që nesër, në teorinë e tranzicioneve politike, do të konsiderohet një shtet ‘post tranzicion’. Ka shumë politikanë mes nesh, politikanë që kanë kryer mëkate kundër vendit dhe demokracisë, të cilët thonë se Shqipëria nuk del kurrë prej trazicionit. Kjo nuk është e vërtetë. Që tani Shqipëria nuk hyn mes shteteve që janë emërtuar shtete me ‘tranzicion të vonuar’. Të tillë jemi quajtur atëherë kur pas ngjarjeve të vrasjeve në bulevard para qeverisë, 2011, Europa ngurtësoi hapat e zhvillimit me Shqipërinë. As jemi vend me tranzicion të ndërprerë siç ishim menjëherë pas luftës civile të vitit 1997 dhe grushtit të shtetit në vitin 1998.
Tani nuk bëjmë pjesë në asnjë nga këto faza tranzicioni, që sot kur BE bëri strehë në Tiranë konsiderohemi një vend ‘post tranzicion’. Këtë mund ta themi, a kemi guxim para atyre që nuk e duan?
Mund të themi se pas ditës së sotme Shqipëria zgjidh problemin e madh të edukimit europian te brezit tonë të ri. Që nga Pallati i Kongreseve Shqipëria vendosi bashkëpunimin me universitetet europiane. Në njërën anë Universitetet tona dalin nga kthetrat e mafies universitare, nga ana tjetër vihet në shina krijimi i brezave të ardhshëm me qytetërim e arsimim perëndimor.
Besoj se mund ta themi me guxim dhe askush nuk mund të na thotë se ‘ si shumë po i jepni benzinë entuziazmit mbi atdheun’ Mund të na thonë se po lavdëroni qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, mund të thonë edhe se ‘ po i shërbeni’. Por vetëm kryeministri Edi Rama mund ta arrinte këtë pikë të lartë të zhvillimit politik kombëtar. Kjo është e vërtetë, tjetër gjë nëse na lejojnë ta themi apo nuk na e lejojnë. Një grusht protestuesish politik anti- perëndimorë u përpoqën të thonë se “Rama nuk na përfaqëson, nxirreni jashtë Samitit”. Mirëpo atëherë nuk do të kishte Samit të BE.
Atëherë do të ktheheshim në vitin 1992 kur Shqipërinë e lidhën me Konferencën Islamike. Sa përpjekje që atëherë për tu larguar nga ai orientim që nuk i takon kombit shqiptar. Po shumë përpjekje, deri në ditën e sotme kur Bashkimi Evropian zbarkoi këtu në Tiranë. Mund të themi me zë të lartë se këtu jemi Europë. Këtu ka vend për qytetërim të lartë euriopian. E themi me plot të drejtë.