Në vitin 2021 filloi dhe u faktua. Në vitin 2022, çështja ende vijon.

Në historinë e politikës shqiptare, nuk ka pasur rast tjetër kur Presidenti i Republikës, “shkarkohet nga vetë ata që e emëruan”, përveç atij të Ilir Metës.

Kuvendi i Shqipërisë, Legjislatura e vjetër – IX-të – më 9 qershor 2021, e shkarkoi zyrtarisht Metën nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.

Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkim, mbi një bazë akuzash për shkelje të rënda kushtetuese nga Meta.

Fjala i kaloi menjëherë Gjykatës Kushtetuese. E megjithatë, një vendim, ende nuk ekziston dhe pritet të merret më 1 shkurt.

Por sa legjitim ishte aksioni i mazhorancës, që gjithçka pret, është vendimin e gjykatës më të lartë në vend?

Avokati Rezart Kthupi, tregon për Albanian Post se veprimet kanë legjitimitetin juridik, pasi baza juridike i jep të drejta një pale për të ngritur një pretendim në gjykatë.

Rezart Kthupi, avokat

“Në interpretim të ligjit, ky i fundit i ka njohur një numri deputetësh, të drejtën për të kërkuar fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, shpjegon avokati. “Në këtë interpretim të ligjit, grupi i deputetëve, i Partisë Socialiste në rastin konkret, e ka pasur legjitimitetin juridik për të adresuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese”.

Ai thekson se vendimi që Gjykata pritet të marrë, do të vendoset bazuar në fakte dhe prova të pretendimeve të kërkuesve. Ndaj, është me rëndësi interpretimi i dosjes së dorëzuar për rastin e Metës.

“Ajo që është e rëndësishme është të shikohet vendimi në tërësi. Do të adresojë çështjet proceduriale, respektimin e procedurës së kërkuar parlamentare, ashtu edhe themelin mbi të cilin bazohen pretendimet dhe vendimi i Parlamentit”.

Mirëpo në çështje, ka edhe një element të prekur, i cili është “i cenueshëm” sipas Kthupit

Interpretimet mbi procedurën do të bëhen nga Gjykata në vendimin e saj. Ajo që mund të cenojë, në aspektin moral dhe politik, veprimtarinë dhe procedurën e Parlamentit, është momenti kohor në të cilin filloi procedura. Pra, nxitimin me të cilin veprimet proceduriale u ndërmorën si dhe përbërjen politike të Parlamentit”.

Në këtë aspekt, kufizimin e mundësisë së deklarimeve të Presidentit përpara deputeteve, Kthupi e gjykon si të “qëllimshëm nga palët”.

“Duhet pasur parasysh që e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur në një procedim “thuajse” gjyqësor (administrativ apo në rastin konkret parlamentar), është një e drejtë themelore, kufizimi apo mohimi i së cilës, në praktikën gjyqësore në Shqipëri në përgjithësi ka sjellë si pasojë zhvfleftësimin e vendimeve të marra nga organi kolegjial, në rastin konkret Parlamenti”.

Një tjetër aspekt gjithsesi, është edhe fakti se Ilir Meta po i rikthehet një protagonizmi politik me deklarata të forta karshi aktorëve kryesorë në vend, edhe pse gjendet ende në mandat presidencial.

Gjykatës Kushtetuese sakaq, i duhet të veprojë e pavarur “përballë aksionit presidencial”.

Sa i përket, këtij aspekti, avokati shpjegon se ndikimi i mundshëm i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga veprimtaria politike e Presidentit apo të kujtdo tjetër, do të ishte jo vetëm një ogur i keq për vendimin, por edhe një thikë pas shpine për të gjithë suksesin e pretenduar të reformës në drejtësi.

“Gjykata Kushtetuese duhet dhe pretendohet se përbëhet nga gjyqtarët me nivelin më të lartë të njohurive juridike, integritetit moral dhe ligjor dhe pastërtisë më të madhe të figurës. Qëllimi i përzgjedhjes së trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe benefitet e siguria që u njeh ligj, kanë pasur për qëllim pikërisht krijimin e një sfere të mbrojtur në të cilën ata të vendosin larg presioneve të mundshme të politikës apo të çdo lloji tjetër”.

Meta kundër Kushtetueses

Një javë më parë, Meta ka kërkuar procedimi disiplinor për anëtaren e gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji, pasi sipas tij ka kryer shkelje profesionale dhe etike.

Avokati shpjegon se nga ana juridike, kallëzimi i një anëtari të Gjykatës Kushtetues është një nga veprimet e shumta, të forta, juridike që Presidenti i Republikës ka kryer gjatë mandatit të tij presidencial.

“Në këtë kontekst historik mund të anashkalohet çështja gjyqësore që vetë Presidenti ka me Gjykatën Kushtetuese dhe të pretendohet se jemi në kushtet e asaj që Presidenti e quan si beteja për mbrojtjen e Kushtetutës”.

Ndërsa afati është thuajse i skaduar për vendimin – i cili pritet me kërshëri nga opinioni i gjerë – Meta ka bërë edhe një kërkesë për njohjen me dosjen e shqyrtuar ndaj tij.

Ai afat skadon pikërisht sot, më 31 janar, dhe veprime të mëtejshme priten nga Meta. Fjala bie, ai ka premtuar të çojë juristët e Presidencës pranë Kushtetueses, për ta tërhequr dosjen.

Gjithsesi, nuk dihet nëse koha për shqyrtim – më pak se 24 orë – do të jetë e mjaftueshme për të për t’u njohur me çështjen.

Gjasat janë, që Meta nuk do të paraqitet në seancë. Megjithatë, gjithçka pritet me hyrjen e shkurtit në lojë