Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se ka ftuar në një takim urgjent kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri.

Borrell, përmes një postimi në Twitter, deklaroi se duhet deesklaim të menjëhershëm të situatës dhe zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.

Kam ftuar në Bruksel liderët e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe të Kosovës, Albin Kurti, për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi Borrell.

 

Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti, ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.

Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Megjithatë, Stano shtoi se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi. /KosovaPress/