Shqipëria u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të largohen sa më parë nga Ukraina. Në një njoftim zyrtar, Ministria e Jashtme, thekson se po ndjek me vëmendje zhvillimet pranë kufirit ukrainas, dhe duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur me kujdes zhvillimet pranë kufirit ukrainas. Duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës. Gjithashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i bën thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë’.
Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë për asistencë në numrat: +48 22 824 14 27; +48 501 194 910; ose në adresat e emailit: [email protected]; [email protected] [email protected] Qytetarët shqiptarë ftohen që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.’- njofton MEPJ.
Edhe SHBA dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen sa më shpejt nga Ukrainë, pasi në rast fillimi lufte do e kenë të pamundur evakuimin e tyre. Po sot gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel” shkruan se pushtimi mund të ndodhë ditën e mërkurën.
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe SHBA do të jenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë rol aktiv në vendimmarrjen në Këshillin e Sigurimit në lidhje me tensionet Ukrainë-Rusi. Përmes qëndrimeve të unifikuara me SHBA, Shqipëria do të ketë bashkëautorësinë në planet për paqe dhe qëndrimeve lidhur me këtë konflikt.