Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 i shkallës Rihter ka goditur Bosnjë dhe Hercegovinën.

Epiqendra është shënuar 28 kilometra larg qytetit Bileca ndërsa i gjithë Ballkani është shkundur nga luhatjet.

Në Shqipëri, ato janë ndjerë deri në zonën e Kavajës. Raportime ka pasur edhe nga disa qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Goditja ka qenë aq e fortë, sa fillimisht, banorët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, kanë menduar se epiqendra ka qenë në Shqipëri.

E njëjta gjë sipas raportimeve është paramenduar edhe në Prishtinë dhe në disa pjesë të Kosovës, pasi goditja është ndjerë shumë e fortë.

Ndërkaq, menjëherë pas luhatjes së parë, disa pasgoditje kanë ndjekur në Bosnjë dhe Hercegovinë, me intensitet më të ulët, por sërish të forta.

Një sizmë është raportuar disa minuta më vonë edhe në Serbi, po pa përcaktuar shkallën e sizmës.

Njoftimet paraprake mbi shkallën e goditjes janë konfirmuar edhe nga Qendra Sizmiologjike Euro-Mesdhetare EMSC.

Teksa, mbi dëmet në qytete të ndryshme, ende nuk ka të dhëna.