Një tërmet i fuqishëm 6.6 ballë ka tronditur brigjet e Izmir në Turqi. Lëkundjet e forta janë ndjerë në Stamboll, Izmir, Çanakkale, Denizli, Bursa dhe në Greqi.

Deri më tani raportohet se janë gjetur të paktën 12 viktima dhe mbi 400 të plagosur në Turqi. Ndërsa në Samos të Greqisë kanë humbur jetën dy fëmijë, 15 dhe 17-vjeç të cilët janë zënë poshtë nga një mur.

Njerëz që bërtasin të tmerruar dhe rrënoja të shumta, këto janë pamjet që janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale.

Tërmeti i fuqishëm tronditi dy shtete, Greqinë dhe Turqinë. Associated Press flet për të paktën 20 ndërtesa të shkatërruara në qytetin turk të Izmirit, (i treti më i madh në vend), në  Bornova dhe Bayrakli. Epiqendra e tërmetit të dhunshëm ka qenë pranë brigjeve turke ne Egje dhe pranë ishullit grek të Samos-it. Lëkundjet janë ndjerë të forta deri në Athinë e Stamboll. Dëshmitarët okularë tregojnë se si njerëzit vrapuan të tmerruar nëpër rrugë në momentin kur toka u drodh.

VERITAS.COM.AL