Policia e Shtetit ka kapur autorin 24-vjeçar të masakrës me 8 të vrarë nga fisi i tij, ngjarje e ndodhur dje në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë.
Ridvan Zykaj u arrestua në një zonë periferike në dalje të fshatit të Selenicës. Duke qenë bari, i riu ishte njohës i mirë i zonës, dhe nata ishte terren në favor të tij dhe jo policisë. Në aksionin për kapjen e tij u vunë edhe qenë gjurmues, forca të policisë së Vlorës, RENEA-s, FNSH-së dhe Delta Forcës, derisa këtë mëngjes u bë e mundur kapja e autorit të krimit të 8-fishtë. Policia shpërndau një foto nga momenti i arrestimit të të riut, ku shihen përpjekjet e tij që ka bërë për tu arratisur në terrenin malor, pasi ka marrë edhe një dëmtim të lehtë pranë syrit.
Ridvan Zykaj vrau gjakftohtësisht pjesëtarët e dy familjeve me mbiemrin Zykaj.
24 vjeçari fillimisht ka qëlluar mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykën. Demir Zykaj së bashku me gruan e tij Ferie Zyka kanë qenë të parët që janë ekzekutuar. Demir Zyka ishte 75 vjeç ndërsa gruaja Ferie Zyka, 72 vjeçare. Në shtëpinë e Demir Zykës qëndronte dhe djali i tij së bashku me gruan, Azem e Afërdita Zykaj. Të katër personat janë vrarë në një shtëpi.
Më tutje 24 vjeçari Ridvan Zykaj ka shkuar në shtëpinë e djalit tjetër të Demir Zykajt, shtetasit Besim Zykaj. Në shtëpinë e 42 vjeçarit ndodhej e gjithë familja, gruaja e Besimit, Vasilika Zyka, një vajzë e mitur me emrin Sara Zyka, 17 vjeçe si dhe fëmijën 9 vjeçar Ledjon Zykaj.
Policia publikoi menjëherë fotot e tij të marra nga rrjeti social Facebook, për t’i treguar qytetarëve se kush ishte i riu që mori 8 jetë, për faktin e rrezikshmërisë që ai përfaqësonte edhe në arrati pasi ishte ende i armatosur me kallashnikov.
Pistat e hetimit për këtë ngjarje të rëndë ende nuk janë konkretizuar, por prindërit e të riut, të cilët janë shoqëruar në polici, kanë deklaruar se në një tryezë dreke me disa prej viktimave, një prej grave që u vra nga dora e Ridvan Zykajt, e ka akuzuar atë se i kishte vjedhur pulat. Kaq duket se ka mjaftuar që 24-vjeçari të rrëmbejë armën dhe të shuajë dy familje. Zykaj nuk është i sëmurë mendorë me kartelë, banorë të fshatit flasin se nuk ka qenë problematik. Ama nëse vëzhgon dy profilet e tij në rrjetet sociale, sheh një koment që flet shumë. Një i afërm i tij që e këshillon të mos zihet me kushërinjtë. Dhe përgjigjja e 24-vjeçarit po ashtu, thotë shumë rreth këtij krimi dhe karaktetit të tij. Nëse më ngacmojnë “nuk i lë rehat, s’kam çfarë bëj e kam këtë gjë”.
Me vete i është gjetur edhe arma e krimit.
NGJARJA
Gjithçka kishte nisur para 5 vitesh kur familja Zykaj kishte akuzuar autorin e krimit se i kishte vjedhur 5 pula deti.
Pas shumë debateve përgjatë kësaj kohe, siç duket 24-vjeçari nuk e ka përtypur dot këtë akuzë, ndërsa vendosi që të hakmerrej në mënyrën më monstruoze, duke shuar dy familje. Debati më i fundit mes autorit dhe familjes Zyka kishte ndodhur vetëm para pak ditësh për bagëtitë.
Ndërkohë, dje i riu bashkë me familjen e tij, (jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain) kishin qenë në një drekë familjare tek një kushëriri i tij, pasi ky i fundit ishte kthyer nga emigrimit. Teksa dyshohet se ka qenë në efektin e alkoolit, i riu është ngritur më herët se familja e tij nga dreka, ndërsa është drejtuar për në shtëpi.
VIKTIMAT
1- Demir Zykaj, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)
3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i Demirit)
4- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
5- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
6- Ledjon Zykaj, 6 vjec (Djali i Besimit)
7- Azem Zykaj (Djali i Demirit)
8- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave”, parshikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Veritas.com.al/