Korrigjimi i kufijve të Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës janë dy terma që kanë ndarë në dy kampe politikën në Shqipëri dhe Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka sulmuar ashpër ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka akuzuar atë si “Argat të Beogradit”.
“Mëkate të mëdha” ka bërë Berisha, tha Presidenti Thaçi, duke iu referuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa sa i përket qëndrimit që mban Sali Berisha duke kundërshtuar shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e konsideron ish-Kryeministrin shqiptar “gërmadhë të politikës”.
Hashim Thaçi: “Z.Berisha nuk ka patur guximin të kundërshtonte idenë për shkëmbimin e territoreve nga z.Rugova. Z.Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj UÇK dhe këto mëkate kanë qenë paralele të luftës në terren kundër shqiptarëve dhe propagandës së ashpër për UÇK terroriste. Në vitin 1999 unë kam shkuar në zyrën etij dhe pastaj kemi patur një komunikim normal. Kur jam zgjedhur Kryeministër, kemi pasur respekt reciprok.
Shpreh keqardhje për gjendjen e tij emocionale si një gërmadhë për skenën e politikës shqiptare. Nëse dikush mendon që dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i dëmshëm, mendoj se është shumë naiv. Për arsye se ka qenë transparent. Unë jam vetëm për korrigjim të padrejtësive historike. Ky është pozicioni im”. /tvklan.al