Frrok Çupi/

Them se ‘nuk ka më’ fjalë, sepse Tirana flet pa pushim për ‘heroizmin’ gjatë Luftës së Dytë. Ndërsa tani kur realisht po mbyllet kapitulli i fakteve dhe padrejtësive historike ndaj hebrenjve, Tirana nuk ka asnjë fjalë…

Atëherë ndodhi vërtet që shqiptarët strehuan hebrenjtë e dëbuar dhe të ndjekur nga Nazizmi, por atëherë nuk kishin qeveri të ‘varur’ në çdo cep; atëherë nuk kishte BE të burokratizuar; atëherë nuk kishte deputetë ‘kukulla’ të paditurisë dhe partive; atëherë Izraeli as jepte as merrte pushtet. Sot ndodhin këto të gjitha…. Sa herë sillet në publik një fakt i njohur se Mbreti i Shqiptarëve i akordoi pasaportë shqiptare shkencëtarit çifut Albert Einstein, edhe komunistët më të egër e pranojnë Mbretin si ‘i mirë’…

Tirana politike merret ose me ‘heroizmat’ e vdekur, ose me përfitimet e rastit në pushtet. Izraeli sot është ‘patate e nxehtë’ për ta.

Po bëhet një javë që aleati ynë më i madh, Shtetet e Bashkuara, ka njohur Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit; dhe ka nisur procedurat për zhvendosjen e ambasadës Amerikane Nga Tel Aviv, në Jerusalem. Vendimi i presidentit Trump ka hasur në kundërshtimin e egër të dy poleve botërore: BE dhe Palestina me aleatët arabë.

Të dy këto pole janë kundërshtarët e përjetshëm të Hebrenjve:

Nga Gjermania Europiane dhe Europa gjermanike, hebrenjtë  që shpëtuan nga furrat me 6 milionë viktima- u përzunë nga sytë këmbët; ndërsa në Arabi ku kishin atdheun e lashtë, u sulmuan prej 70 vjetësh. Tirana po qëndron kësaj here në krah të atyre që i dhunuan hebrenjtë…

Tirana politike po rrëzon lavdinë e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë. Lavdia për strehimin e mijëra çifutëve u ngrit pse shqiptarët u treguan të drejtë, jo pse ishin pasanikë dhe spektakolarë. Ata e dinin se ‘më i fuqishmi’, ndodhej në Europë; por nuk e përfillën ‘fuqinë’ para Drejtësisë.

Tirana politike e sotme po mban anën e diktatorit komunist, që për 50 vjet nuk tha asnjë fjalë mbi provat dhe Lavdinë e Shqiptarëve në përkrahje të Hebrenjve. Politika ‘anti- Sioniste’ e Hoxhës ishte sa e egër, aq edhe qesharake. Çdo mëngjes e mbrëmje njerëzia zgjohej e binte me zëra ‘kundër Sionizmit’, ‘pro Palestinë’.

Pse nuk mundi Tirana të thotë një fjalë kësaj here?

Kësaj here, Tirana, që nga Presidenti i Republikës, Kuvendi, qeveria, opozita…, duhej të merrnin një vendim të thjeshtë e publik: ‘Ambasada shqiptare në Tel Aviv’ të transferohet për në Jerusalem, siç bëri aleati ynë i madh, Trump’…

Kësaj here Tirana është e dyzuar mes Trump dhe fiksimit ‘anti- Trump’. Qeveria, por edhe opozita janë të instaluar me politikat kundër presidentit Trump dhe pro- miliarderit George Soros. BE, ku këta tentojnë të afrohen ‘me zor’, nuk ka pritur as përcjellë për 20 e ca vjet asnjë përfaqësues të Izraelit. Brenda BE ka rryma që qëndrojnë në të njëjtat pozita të Luftës së Dytë ndaj hebrenjve…

Kësaj here Tirana, fatkeqësisht, mund të vendoset në të kundërtën e vlerës historike ku u vendos kombi ynë gjatë Luftës- përkrah Hebrenjve. Ose të paktën të jetë e vonuar. Ç’vlerë do të kishte që Tirana ta pranojë vendimin  Shteteve të Bashkuara pasi ta pranojë BE!? BE nuk mund të bëjë ndryshe, por pas saj do të jetë vonë… Çfarë vlere do të ketë zhvendosja e ambasadës së Tiranës drejt Jerusalemit pasi të jetë zhvendosur edhe ambasada e Egjiptit dhe Palestinës?. Atëherë do të jetë më vonë se vonë…

Të paktën, vlera e krahasuar me lavdinë e kombit në historinë e tij- kjo të mos rrëzohej….

Veritas.com.al/