Dy javët e fundit vendi ynë ka pasur një rritje të rasteve të reja me COVID-19, për rrjedhojë Komiteti Teknik i Ekspertëve po zhvillon një mbledhje në lidhje me situatën e koronavirusit në vend.

Dje, në bilancin ditor, shifrat me COVID ishin shqetësuese, ku u regjistruan 974 raste të reja dhe 2 viktima, shifra më e lartë e arritur prej javësh në vendin tonë. Referuar bilancit ditor të bërë nga Ministria e Shëndetësisë, përveç Tiranës, përhapja e rasteve të reja përkonte në zonat bregdetare, më së shumti në Vlorë për t’u ndjekur nga Shkodra e Durrësi.

Eugena Tomini, drejtoreshë e ISHP-së, gjatë një deklarate për mediat tha se janë rritur rastet e reja me COVID.

‘Prej dy javësh ka një trend në rritje të rasteve të konfirmuara pozitive. Ky trend po pasqyrohet me rritjen e përqindjes së pozitivitetit dhe të shtrimit të pacientëve. Ka pësuar rritje nga gatit 4-5 muajt pararendëse. Për sa i përket bashkive në 90% kemi raste aktive dhe aktualisht popullata shqiptarë duhet të vaksinohet me dozë të 3 dhe të 4. COVID ka treguar se nuk ka një sezonalitet dhe është i pranishëm gjatë të gjitha muajve të vitit.’- tha Tomini.