Refugjatët afganë të vendosur në zonën turistike të Shëngjinit kanë reaguar lidhur me vendimin e presidentit Donald Trump për të pezulluar për 90 ditë programin USRAP (Programi Amerikan për Refugjatët).
Ata shprehen se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ardhmja e tyre dhe familjarëve që kanë lënë pas është në rrezik.
“Vendimi i Trump nuk më duket i drejtë. Njerëzit tonë e kanë ndihmuar ushtrinë amerikane në Afganistan. Ne duam që edhe njerëzit tanë, të cilët kanë ngelur në Afganistan, të mos lihen në harresë, pasi jeta e tyre është e rrezikuar. Ata kërkojnë ndihmë për t’u evakuar nga Afganistani, sepse po përballen me sulmet e vazhdueshme nga talibanët dhe jetojnë në një situatë tejet të rrezikshme. Njerëzit që kanë ndihmuar ushtrinë amerikane po vriten nga talibanët. Nëse nuk na ndihmon Amerika ky do të jetë fundi i jetës sonë, pasi ne nuk mund të shkojmë më në Afganistan, se talibanët e dinë kush e ka ndihmuar ushtrinë amerikane.
Pa mbështetjen e Donald Trump dhe të Amerikës ne jemi të pashpresë. Duhet të na vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po kalojmë. Jeta jonë është në rrezik dhe qëllimi është të shkojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shprehen dy refugjatë.
Aktualisht në zonën turistike të Shëngjinit janë vendosur 200 familje afgane, ku kontingjenti më i fundit ka ardhur një javë më parë.
Refugjatët afganë nisën të vijnë në Shqipëri në gusht të vitit 2021, pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan.
Të tjera zhvillime priten pas 90 ditëve, një afat i lënë në dispozicion sekretarit të Departamentit për Sigurinë Kombëtare dhe sekretarit të Shtetit, të cilët duhet të njoftojnë presidentin Trump nëse programi për refugjatët përputhet me interesat e SHBA-së
Komente