Koment nga: L. Skiro/
Po ndodh si në një libër kinez me shtrëngata: Të dy heronjtë e dashuruar të librit vrapojnë te njëri tjetri përmes shtrëngatës dhe më në fund vdesin në shinat e trenit pa e marrë vesh se ishin vëlla e motër.
Ja kështu duket dita sot. Meta niset për të gazetarët dhe pret Bashën, Basha niset urgjent përmes shtrëngatës për te Meta:
Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim urgjent me presidentin e vendit, Ilir Metën.
Takimi, i cili zgjati për rreth 60 minuta, u zhvillua në ambientet e Presidencës. Asgjë nuk dihet më shumë, edhe pse hamendësojnë mediat e etura për klikime.
Vetëm tre ditë më parë, kreu i shtetit doli para Komisionit Hetimor gjatë seancës për shkarkimin e tij dhe arsyetoi se zgjedhjet i anuloi pasi kishte informacione se Kuvendi do të digjej më 8 qershor. Ajo çfarë deklaroi Meta rëndon mbi Bashën, që e vë në radhët e liderëve të terrorizmit politik, bashkë me gruan e presidentit, Kryemadhi. Por pse e akuzoi Meta Bashën, nuk besohet se është naivitet, besohet se vetë agjencitë e aleatëve ia kanë kërkuar këtë ‘bombë’. Megjithatë, si SHBA dhe BE janë shumë të vëmendshme ndaj terrorizmit që mund të zhvillohet në turmatr politike të PD dhe LSI.
Ndërkohë në Shqipëri ka mbërritur edhe Komisioni i Venecias për të dhënë opinionin e tyre lidhur me shkarkimin e Metës. Pas takimit me ta dhe me Bashën, kreu i shtetit ka paralajmëruar një konferencë për shtyp, duke mos dhënë asnjë detaj lidhur me të.
Pas takimit një ditë më parë me anëtarët e Komisionit të Venecias, presidenti Ilir Meta do të dalë në një konferencë për shtyp në orën 17:00.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të japë sot një konferencë shtypi në ora 17:00 në ambientet e institucionit, me rastin e vizitës së një përfaqësie të Komisionit të Venecias të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Presidenti Meta do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente,”-njofton Presidenca.
A mund të ndodhë që vetë Meta të japë dorëheqjen nga posti i presidentit pasi ka kuptuar në njëfarë mënyre edhe opinionin e Venecias mbi çështjen e tij? Ky është opsioni më lehtësues për të gjitha palët.
VERITAS.COM.AL/