Nami i mirë që na doli vitin e shkuar mbajti gjallë kuriozitetin e të huajve edhe këtë vit… Shqipërinë e vizituan 9.7 milionë turistë deri në shtator, duke shënuar kështu një rekord të ri në historinë e vendit.
“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milionë vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agorturizëm”, tha ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, raporton A2 CNN.
Me parashikimin që nga Rinasi të ketë 69 mijë fluturime në vajtje dhe ardhje deri në fund të vitit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tregoi edhe se kur do të nisin fluturimet nga Aeroporti i Vlorës. “Duhet thënë gjithashtu që edhe viti 2025 do ketë një sërë risish në infrastrukturë, por ajo çka është më e rëndësishme për industrinë e turizmit është dorëzimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, duke i dhënë Shqipërisë një nga aeroportet më të mëdha në rajon, me një pistë të kategorisë E, 3.2 kilometra, ku ne aspirojmë, synojmë dhe jam e sigurt që do ia dalim që të fillojmë dhe të kemi edhe udhëtime transoqeanike të cilat nuk do limitojnë më as numrin e turistëve të cilët sot vijnë, por vijnë përmes disa fluturimeve nga kontinentet e tjera”, tha zv.kryeministrja Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku bëri gjithashtu edhe një bilanc të automjeteve që përdorën autostradën e kategorisë “A”, Thumanë-Kashar për të kaluar në muajt e verës. “Këtë vit, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe me kolegen time Mirela Kumbaro, ne hapëm rrugën Thumanë-Kashar për përdorimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve. Nga data 28 qershor, nga mbrëmja e 28 qershorit më saktë që kjo rrugë u bë e disponueshme, deri në 30 shtator në aksin Thumanë-Kashar kanë kaluar 2 milionë e 700 mijë automjete, një shifër kjo rekord edhe për autostradat e tjera të rajonit dhe jo më për Shqipërinë se si mendohej dikur”.
Nga takimi vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024 të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja e vuri theksin te rritja e kapaciteve të kualifikuara njerëzore në shërbim. “Vetëm në vitin e ri akademik, janë regjistruar 4,700 studentë, 10% më shumë se në vitin e kaluar, ku gjithmonë e më shumë rritet interesi për sektorin turistik. Le të përfitojmë nga ky entuziazëm dhe të vazhdojmë ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion edhe më interesant turistik e investimi, ku së pari çdo shqiptar të dëshirojë të punojë e të jetojë!”, tha Gonxhja.
Pritshmëritë janë që deri në fund të vitit, vendin ta vizitojnë rreth 14 milionë pushues të huaj. (A2 Televizion)