Përgjime të Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kjanë çuar në arrestimin e drejtuesit të prokurorisë së Kukësit Edmond Karriqi. Prokurori akuzohet si i përfshirë në korrupsion, ndërsa arrestimi i tij ka ndodhur gjatë kohës që ai ishte në qendër të Kavajës. SPAK përmes përgjimeve ka arritur të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro rtyshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur. Për ngjarjen është vënë në pranga edhe Isuf Gega, Sekretar në prokurorinë e Kavajës, ndërkohë që është përcaktuar edhe masa e sigurisë “arrest me burg” për 2 të tjerë. Arrestimet janë bërë në Kavajë.
Karriqi akuzohet nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. SPAK njofton se nga veprimet hetimore të kryera, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qënë duke u hetuar në Prokurorinë Kukës.