Në një intervistë ekskluzive me shkrim për Albanian Post, Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ka treguar ndjesitë e para mbi përcaktimin e delegacionit shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara dhe rolit me rëndësi që i është dhënë Tiranës zyrtare në bisedimet, të cilat kanë rëndësi tashmë kontinentale e më gjerë edhe globale.
“Kemi besim të plotë tek zëri i Shqipërisë në KS”, theksoi menjëherë Shkurov, pas publikimit të lajmit në media. “Arsyeja, është sepse diplomacia shqiptare, e ka mbështetur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial të saj”.
Po ashtu, diplomati ukrainas radhit edhe një sërë çastesh të tjera me shumë rëndësi në mbështetjen diplomatike që Tirana i ka dhënë Kievit.
Ndër to, presidenca e OSBE-së e mbajtur nga Shqipëria gjatë vitit 2020 si edhe aderimi i menjëhershëm në platformën e Krimesë, si një ndër vendet iniciatore.
Pavarësisht se zëri i Shqipërisë mund të jetë “relativisht i vogël”, besimi i Ukrainës është i madh tej fjala e diplomacisë shqiptare në KS. Madje, Shkurov nënvizoi se në opinionin e tij, por edhe në opinionin e shumë raporteve, të cilat i kanë ardhur nga Ukraina, fjala e përfaqësuesit të përhershëm shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, i cili shpalosi qëndrimin shqiptar ndaj konfliktit, ishte “më e mira në termat e argumentimit dhe objektivitetit”.
Për këtë arsye, Shkurov thotë se nuk ka rëndësi madhësia e shtetit, por përbashkësia e qëndrimeve dhe unitetit.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës nuk ka filluar tani, por në vitin 2014, kur u aneksua Krimea”, rikujtoi ai. “Atëherë, një zë i përbashkët kundër Kremlinit, nuk ishte i mjaftueshëm. Sot, besojmë tek zëri i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”.
Sa i përket çështjeve më themelore për diplomacionë ukrainase dhe kërkesave të mundshme që ata kanë ndaj diplomatëve shqiptarë, për t’i ravijëzuar në mbledhjet e ardhshme me temë konfliktin mes dy palëve, zgjidhja diplomatike e kauzës, mbetet themelorja.
Gjithashtu, Shkurov theksoi se prania më aktive në platformën e Krimesë, duhet të risillet në vëmendje si çështje. Njejtë, edhe mbështetja për iniciativa të delegacionit ukrainas dhe pozicionit pro-Kiev, në takimet me rëndësi të lartë dhe në trupat pjesëmarrës në Këshillin e Sigurimit.
Tirana zyrtare, në partneritet të ngushtë me Washington-in, do të jenë edhe përcjellëset kryesore të zërit ukrainas në Këshillin e Sigurimit tashmë. Ndërsa, përballë, do të kenë trupën diplomatike ruse, e cila mbështetjen më të fortë brenda tryezës, e gjen tek Kina. /Albanianpost.com