Fethullah Gulen, kleriku turk i akuzuar për organizimin e një tentative për grusht shteti në vitin 2016 në Turqi, sipas raportimeve të mediave turke ka ndërruar në moshën 83-vjeçare. Kleriku, i cili jetoi në mërgim në SHBA, vdiq në një spital në Pensilvani, sipas raporteve që citojnë grupe të afërta me Gulen.

I përshkruar si njeriu i dytë më i fuqishëm i Turqisë, Gylen ishte lideri shpirtëror i lëvizjes Gulen, një komunitet i fuqishëm islamik me ndjekës në Turqi dhe në mbarë botën. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, fajësoi lëvizjen Gylen për tentativën për grusht shteti të vitit 2016, akuza që Gulen i mohoi.

Fetullah Gylen argumentonte se të rinjtë në Turqi kishin humbur rrugën e tyre dhe arsimi ishte përgjigja më e mirë. Ai u bë i njohur për promovimin e një Islami tolerant i cili theksonte altruizmin, modestinë dhe punën e palodhur.

Lëvizja e tij – e njohur në Turqi si Hizmet ose “shërbim” – fillimisht fitoi një bazë për drejtimin e shkollave dhe vazhdoi me hapjen e institucioneve arsimore në të gjithë Turqinë dhe me gjere.

Ndërsa lëvizja u rrit, ndjekësit u zgjeruan në biznes dhe filluan të merrnin punë brenda qeverisë dhe ushtrisë. Gylen dikur ishte një aleat i Erdoganit, por presidenti turk në vitin 2013, u zotua se do të mbyllte qindra shkolla dhe do të çlironte qeverinë nga gylenistët, të cilët ai i quajti “shtet brenda shtetit”.

Oficerët e policisë, aleatë të Gulenit, u akuzuan për kryerjen e bastisjeve kundër aleatëve të Erdoganit dhe qeveria turke e shpalli zyrtarisht lëvizjen e Gylen një organizatë terroriste në maj 2016.

Dy muaj më vonë, një fraksion i ushtrisë turke u përpoq të rrëzonte Erdogan nga pushteti. Gjatë një nate të dhunshme, stacionet televizive u bastisën nga ushtarakë, u dëgjuan shpërthime në Stamboll dhe Ankara, si dhe u sulmuan parlamenti dhe ndërtesat presidenciale.

Por grushti i shtetit dështoi të fitonte mbështetje nga publiku apo ushtria e gjerë dhe fraksioni i ushtrisë që drejtonte atë u detyrua të dorëzohej. Qeveria fajësoi Gylenin për këto akte, por ai i mohoi pretendimet dhe dënoi grushtin e shtetit.

Grushti i dështuar i shtetit në korrik të 2016 në Turqi, u pasua nga mijëra arrestime, duke përfshirë pothuajse një të tretën e drejtuesve të lartë ushtarakë si dhe mijëra zyrtarë të shtetit