
Apeli i GJKKO-së nuk ka dhënë as sot vendimin lidhur me masën e sigurisë ndaj Kryebashkiakut Eriuon Veliaj.
Gjyqtari Engert Pëllumbi do të japë vendimin në orën 10:00 të së enjtes
Seanca e sotme në Apelin e GJKKO-së nisi rreth orës 12:40, ku në nisje të saj, avokati i Kryebashkiakut Erion Veliaj, Artur Selmani, ka paraqitur qëndrimin e tij mbi provat e reja që ka paraqitur SPAK. Të pranishëm në seancë ishin edhe dy prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani.
Sipas raportimeve, duke marrë fjalën në seancën gjyqësore, Kryebashkiaku Veliaj ka kërkuar që seanca të bëhet e hapur për mediat që të deklarojë publikisht përgjimet që ai pretendon se janë bërë ndaj tij gjatë kohës së qëndrimit në paraburgimin e Durrësit.
Veliaj ka kundërshtuar pretendimet e prokurorëve. Sipas burimeve, Veliaj ka deklaruar se nuk ka asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina burgut.
Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë për Kryebashkiakun Veliaj nisi të martën në orën 10:00 dhe zgjati rreth 7 orë. Ndërkohë vijimi i seancës u shty duke i dhënë kohë avokatëve mbrojtës të Veliajt të njiheshin me provat e reja të paraqitura nga SPAK.
Mbrojta e Veliajt dhe e biznesmenit në burg, Elman Abule kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës të tre biznesmenëve Shkëlqim Fusha, Gentian Sulës dhe Meriman Palushit, kanë kërkuar heqjen e masës detyrim paraqitjeje, me argumentin se nuk është në nivelin e standardit ligjor, pasi sipas tyre provat nuk janë të mjaftueshme. Të tre akuzohen për korrupsion aktiv.
Masën e sigurisë nuk e ka ankimuar në Apel, Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi.
Kryebashkiaku Veliaj mbahet në qeli që prej 10 shkurtit dhe akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.
Komente