Ministria e Jashtme e Greqisë, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Selanik, në takimin me shqiptarët.

“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon”, tha Ministria e Jashtme në përgjigje të deklaratave të Ramës, duke iu referuar fjalës së kryeministrit shqiptar kur tha se disa individë ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”.

“Vorio Epiri është një term i vdekur,” deklaroi Rama në takim.

Ministria e Jashtme greke shprehet se kërkon respektim të të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, si kusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon, prandaj është i nevojshëm respekti i plotë nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të minoritetit etnik grek.

Ky përbën një kusht eksplicit për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024”, thuhet në deklaratë.

Protothema shkruan se në protestën e përmendur nga Rama, kanë marrë pjesë anëtarë të organizatave nacionaliste, të cilët kanë zhvilluar një protestë jashtë One Salonica, me rastin e pranisë së Ramës në qytet.

Siç thanë demonstruesit, ata reaguan ndaj pranisë së kryeministrit shqiptar në Selanik, pasi sipas tyre “shteti shqiptar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio-Epirit”.