Vrasja e Pjerin Xhuvanit në qytetin e Elbasanit dhe akuzat e politikë spër njëra-tjetrën, kanë sjellë edhe reagimin e ambasadave të SHBA-BE në vendin tonë. Reagimet e tyre kanë një emërues të përbashkët, ato bëjnë thirrje që të krerët e partive politike të vetëpërmbahen, të distancohen nga dhuna dhe gjuha e urrejtjes.

E para që reagoi ishte ambasada e SHBA-së, ku foli me emra duke i kërkuar Presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha që të vetëpërmbahen.

“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, lexohet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Edhe ambasadori i BE-së, në vendin tonë Luigi Soreca u bëri thirrje politikës për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale.

VERITAS.COM.AL