Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Fokus i këtij takimi ishte “dëshira për partneritet më të fortë në lidhje me demokracinë”.

Me anë të një statusi në median sociale Twitter, ambasadorja ka theksuar se, kur bëhet fjalë për korrupsionin SHBA-të mbajnë qëndrim dhe njëkohësisht i drejtojnë thirrje qeverisë për të vepruar.

“Gjithashtu është ravijëzuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tejet serioze kur bëhet fjalë për korrupsionin, si pjesë e interesit tonë kombëtar”, shkruan ajo.

Kim i ka bërë thirrje qeverisë për të ndërmarrë veprime të vërteta në mënyrë që Shqipëria të jetë më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur.

Ambasadorja ka bërë me dije se një pjesë e bisedës i është kushtuar edhe rëndësisë së zgjidhjes së të drejtës së pronësisë, duke përfshirë këtu digjitalizimin e regjistrave.

“Tridhjetë vjet pas përfundimit të diktaturës komuniste, udhëheqësit e Shqipërisë nga të gjitha anët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të thyer zakonet e këqija të së kaluarës”, tha ajo.

Deklaratën e saj, Kim e ka finalizuar me kujtesën se “SHBA-të do të vijojnë të jenë mbështetje të plotë për Shqipërinë”

VERITAS.COM.AL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.