Frrok Çupi/
Baba Çeni kishte qenë xhaxhai i diktatorit Hoxha, por që ky e shpalli ‘themelues’ në disa ‘gazeta si RD’. Baba Çeni na ishte themelues i Lidhjes së Prizrenit, themelues i Pavarësisë, themelues i Kongresit të Manastirit…
Në fakt ‘themelues’ as pjesëmarrës në asnjë prej këtyre, por diktatori e shpallte xhaxhain e vet si ‘themelues’ për arsye se thonë se ishte jo ‘xhaxha’, por baba biologjik…
Mbrëmë, në festën për përvjetorin e 28-të të gazetës ‘RD’ (Rilindja Demokratike), kryeredaktori aktual Blend Kasmi mbajti një fjalim të ndrojtur në prag të fjalimit që do të mbante udhëheqësi kryesor i Partisë. Por me porosi të udhëheqësit, kryeredaktori Kasmi shpalli një lajm të madh. I mbytur në emocion, ai u ndal:
‘Do të jap një lajm të madh…. Është zbuluar një themelues i RD-së” – tha- dhe e mbytën djersët e emocionit. Shikoi nga lideri që e kishte përballë nga tre metra, dhe vazhdoi: “Do ta them emrin e themeluesit që kemi zbuluar…, kemi vendosur ta themi…”, dhe heshti për pak.
“A mund ta mendoni cili është?!”, dhe pushoi pak duke parë fytyrat e njerëzve në sallë që mendoi se të gjithë do të ishin idiotë. U çudit që jo të gjithë i bënë fytyrat si idiotë….
Sa inat i erdhi kryeredaktorit Kasmi që jo të gjithë janë idiotë.
“Po hë, mo, gjejeni cili është themeluesi që kemi zbuluar!”, tha…
‘Ja po jua them unë!’, tha Kasmi, duke parë në dritë të syrit kryetarin e tij që kishte bërë një maskë lumturie në fytyrë…”Themelues i RD-së është Florian Mima- tha dhe prapë heshti. “Ka qenë korrektor i gazetës”…
Pashë rrotull në sallë se mos shikoj fytyrën e Florian Mimës, por nuk e pikasa. E prisja në dy pamje: Ose të shikoja që fytyra e Florit të kishte marrë pamje idioti dhe ta pranonte këtë idiotësi që tha kryeredaktori Kasmi; ose të shikoja që Florian Mima- siç e njoh racional e të pa pështirë,- të dalë para njerëzve dhe t’i thotë atij që foli: “Tërhiqe fjalën pas, se ta futa këtë mikrofon në gojë… Cilin përdor ti si baba Çenin?”…
Florian Mima- deputet dhe ministër i PD, mbrëmë u përdor. As që mund të mendohet që të ketë qenë rreth redaksisë ose shtypshkronjës së gazetës në janar 1991, e jo më themelues brenda redaksisë apo themelues i RD.
Prita edhe sot gjithë ditën që Florian Mima të bënte një deklaratë kundër ndotjes së emrit të tij si ‘Baba Çeni’, por nuk e dëgjova askund.
Atëherë kuptova edhe më shumë: PD dhe liderët e saj kanë vendosur të kthehen te Baba Çeni dhe te Lei Feni i Kinës. Një nga një liderët do të marrin nga një hajmali nga gazeta e parë e lirë RD ( e cila tanimë nuk është as e lirë as profesionale) dhe të dalin në publik si të glorifikuar. Liderët e PD nuk kanë arritur asnjë në misionin dhe figurën e tyre, përkundrazi janë ndotur në vjedhje e korrupsion galopant…, por historia e ‘demokracisë’ ka një element që e adhuruan si demokratët edhe të tjerët, që është gazeta RD. Çdo përvjetor të RD mbledhin ‘rroç e poç’ nga familjet e tyre, nga komunistët e egër, nga persekutorët e fjalës së lirë dhe të RD, dhe i sjellin në një sallë për të glorifikuar veten. Një turp!… Këta bëjnë historinë nga e para.
Por turpi që ka nisur duke i dhënë secilit nga një hajmali nga trupi i vdekur i RD-së të vitit 1991- kjo është e pashoqe! Mbrëmë ia dhanë hajmalinë si provë Florian Mimës- i cili idiotësisht e pranoi. Pak kohë më parë vetë kryetari i PD, Basha, ka shpallur se ‘kam lidhje me RD-në”, pasi sipas tij ‘e ka shpërndarë gazetën në rrugicat e lagjes’ së tij. Një ditë tjetër do të dalë si themelues edhe kunati, pastaj Grida, pastaj Salijanji, pastaj zonja Tabaku me të bijën e me radhë- sikur kanë themeluar RD-në…
Florian Mima nuk do të mbetet vetëm.
Një ditë të gjithë liderët e PD do të shpallen ‘themelues të zbuluar vonë të RD’. Asnjë atribut të vërtetë nuk kanë ata, prandaj u duhet hajmalia… Derisa gjithë salla të mbushet me fytyra idiotësh…
VERITAS.COM.AL/