Zelanda e Re do të dërgojë në Europë avionin e saj C-130H, të quajtur “Herkuli”, me një staf prej 50 personash, që do të qëndrojnë aty për 2 muaj.
Qeveria neozelandeze tha se avioni gjigant do të transportojë ndihma dhe pajisje që do t’i jepen Ukrainës, por pa u futur në territorin e saj.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha Zelanda e Re do të mbështesë Ukrainën “për të zmbrapsur pushtimin brutal rus, sepse paqja në Europë është thelbësore për stabilitetin e globit”.
“Një sulm i tillë kundër një shteti sovran është kërcënim për të gjithë ne, prandaj duhet të përfshihemi të gjithë”, tha ajo.
Zelanda e Re do t’i japë Ukrainës ndihma me vlerë 8,8 milionë dollarë, kryesisht për pajisje ushtarake, të cilat do t’i dërgohen Kievit përmes Mbretërisë së Bashkuar.