“Ukrainasit i kanë treguar botës se kush jemi ne. Dhe Rusia ka treguar se çfarë është bërë”.
Kështu e ka nisur fjalimin e tij presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky, në një konferencë për mediat mëngjesin e 28 shkurtit, duke kërkuar anëtarësim të menjëhershëm në Bashkimin Evropian sipas procedurës së re speciale.
“Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë që janë me ne. Por synimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi të barabartë. Jam i sigurt që është e drejtë”, shtoi Zelenksy.
“Evropianët janë të vetëdijshëm se ushtarët tanë po luftojnë për vendin tonë dhe, rrjedhimisht, për të gjithë Evropën”, vijoi ai.
Zelenksy e mbylli me një mesazh se “çelësi është mbrojtja”.
“Kur kam kandiduar për president, kam thënë se secili prej nesh është president. Sepse të gjithë jemi përgjegjës për shtetin tonë. Për Ukrainën tonë të bukur. Dhe tani ka ndodhur që secili prej nesh të jetë një luftëtar. Luftëtari është në vendin e tij. Dhe kam besim se secili prej nesh do të fitojë. Lavdi Ukrainës!”, e përmbylli Zelenksy.