Mirënjohje për rolin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara përcolli Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij para ligjvënësve shqiptarë, nëpërmjet një video call. Ai tha se mbështetja e Shqipërisë në këto kohë të vështira për ta, i kujton Nënë Terezën, shqiptaren që u kthye në simbolin e humanizmit në të gjithë botën.

Zelensky nuk la pa përmendur as disa nga tmerret që po përjeton populli i tij nën bombardimet ruse, ku tha se për ta nuk ka më paqe që prej 24 shkurtit, kur nisi pushtimi dhe se nuk ka asnjë ditë ku të mos vritet një fëmijë. Presidenti ukrainas kujtoi edhe muajin e Ramazanit dhe tha se myslimanët ukrainas nuk patën një ditë të qetë gjatë këtij muaji të shenjtë.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky në fjalën e tij pati kritika edhe për Serbinë, duke e cilësuar si një vend në Rajon që nuk e kanë dënuar haptazi agresionin rus dhe se ka marrë miliarda mallra nga Rusia që kur kjo e fundit sulmoi Krimenë, në vitin 2014.

Nga ana tjetër, në fjalën e tij kryeministri Edi Rama i garantoi Presidentit ukrainas mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa vlerësoi rezistencën e tyre përballë agresionit rus si një ‘shërbim i çmuar për botën demokratike, deri dje të përgjumur’.

Duke pranuar se ndihma që Shqipëria mund t’i japë Ukrainës është fare modeste në krahasim me nevojat që ka vendi në luftë, Rama theksoi se megjithatë Shqipëria ka fjalën e saj në OKB dhe NATO të cilën mund ta shfrytëzojë në mbështetje të Kievit.

Seanca dedikuar luftës në Ukrainë dhe suportit ndaj saj u mbajt rreth orës 13:00. Që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, vendi ynë është rreshtuar krah vendeve anëtare të NATO-s dhe OKB në qëndrimin pro Ukrainës dhe sanksioneve ndaj Rusisë.

Zelensky i është drejtuar në këtë periudhë parlamenteve të disa shteteve në botë. Presidenti ukrainas e nisi me Kongresin amerikan, teksa ka folur edhe në parlamentin britanik, Europian, Italian, Francez dhe në bundestagun gjerman.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në Kuvend pas adresimit që pati Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky, i premtoi atij mbështetje të pakursyer, teksa tha se Shqipëria do të jetë në konferencën e donatorëve për Ukrainën për të dhënë edhe ajo kontributin e saj.

Fjala e plotë e Ramës

Shkëlqesia Juaj, Presidenti i Ukrainës, mik i nderuar, ky parlament që sot ka nderin të mblidhet t’ju dëgjojë, nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes palëve. Janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja, megjithë mend e megjithë zemër, e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë ne këtu, kemi qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim.

Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur.

Shqipëria është një vend shumë më i vogël se sa Ukraina zoti President. Mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj.

Por, ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes material, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest.

Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysëm milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës.

Ndarja e nënave e fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, mobilizimi i vajzave që marrin armët për të rezistuar, qëndresa juaj e palëkundur në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, të gjitha pamjet e dëshmitë e kësaj tragjedie të paimagjinueshme deri ditën e hyrjes së trupave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë përveçse sakrifica ekstreme e një populli liridashës edhe një shërbim i paçmuar, që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës deri dje të përgjumur demokratike.

I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre.

“Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.

Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet.

Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!