Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se koalicioni Fronti Evropian pret fitore bindëse në zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale që po zhvillohen në këtë shtet.

Xhaferi, teksa u pyet nga gazetarët për ndërhyrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur mbështetjen për koalicionin opozitar shqiptar VLEN, tha se çdo deklarim ka një shkallë ndikimi, por sipas tij, janë vetë qytetarët ata që do të vendosin.

“Unë nuk kam pse të druaj për fatin e rrjedhës në fund në kontekstit të numrave, është çështje e vullnetit të qytetarit, askush nuk mund të ndërhyjë në atë vullnet. Kemi sqaruar për të dalë në vendvotime. Kandidatët për presidentë janë deklaruar, qytetarët kanë mundësi të përzgjedhin. Duke qenë një nga kandidadët, pres që të ketë fitore të bindshme, varet prej vullnetit të qytetarit. Gjithsesi, çdo deklarim publik ka një shkallë ndikimi, në perceptim, në përzgjedhje, por qytetarët do të vendosin siç mendojnë të vendosin. Unë jam kryeministër i vendit dhe vendi është ndër të parët që ka njohur pavarësinë e Kosovës, si kryeministër, nuk ka pse të ndikohen raportet institucionale, nuk ka ndikim negativ në raportet shtetërore. Fronti Evropian, edhe si front, por edhe si subjekt ka vërtetuar, është përcaktimi që vendi të shkojë në BE, orientimin e ka pro evropian”, theksoi Talat Xhaferi.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë mëngjesin e së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.