“Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe u bazuan në shtypje dhe frikë”. Kështu deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ky i fundit shtoi se 27 vendet anëtare të BE-së do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet në Rusi gjatë ditës së sotme.
“Ato u kryen në një kontekst kufizues, të rënduar nga lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shtoi ai, në deklaratën që dha në emër të Bashkimit Europian.
“Autoritetet ruse kanë vazhduar të rrisin represionin sistematik në Rusi, duke synuar opozitën, shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe zëra të tjerë kritikë, ndërsa u janë drejtuar legjislacionit represiv dhe dënimeve me burgim të motivuara politikisht”, theksohet në deklaratë.
Brukseli tha gjithashtu se nuk do të njihte rezultatin e zgjedhjeve të paligjshme në territoret ukrainase nën kontrollin rus, pasi sipas tyre janë të pavlefshme dhe nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.